Nga 12 tetori, Bashkimi Europian nis zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve Entry/Exit System (EES), që zëvendëson vulën tradicionale në pasaportë me kontrolle biometrike për udhëtarët që vijnë nga jashtë BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Në Itali, aeroportet e Milano Linate, Malpensa dhe Roma Fiumicino do të jenë të parat që do të zbatojnë fazën pilot të projektit.
Procesi do të zgjerohet më pas edhe në portet e Civitavecchia dhe Gjenova, përpara se të përfshijë të gjitha pikat kufitare deri në prill 2026.
Sistemi i ri do të menaxhohet nga Policia e Kufirit dhe do të zëvendësojë vulosjen manuale me një regjistrim elektronik që përfshin shenjën e gishtave, fotografinë dhe të dhënat personale të çdo udhëtari.
Qëllimi është rritja e sigurisë, kontrolli i qëndrimeve afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda 180 ditëve) dhe parandalimi i imigracionit të paligjshëm.
Të dhënat do të ruhen në bazën qendrore eu-LISA, me seli në Estoni, e cila do të mbledhë informacion nga 25 vende të zonës Schengen dhe 4 shtete të lidhura — Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
Në fazën e parë, rreth 10% e udhëtarëve në pikat e jashtme kufitare do t’i nënshtrohen kontrolleve biometrike, përpara se sistemi të bëhet plotësisht funksional në vitin 2026.
Udhëtarët do të mund të përfundojnë një pjesë të procedurës edhe përmes kioska vetëshërbimi ose aplikacioneve digjitale.
Fëmijët nën 12 vjeç do të përjashtohen nga marrja e gjurmëve të gishtave. Sipas Komisionit Europian, EES shënon “një hap të madh drejt një Evrope më të sigurt dhe më të digjitalizuar”, duke modernizuar mënyrën se si monitorohen hyrjet dhe daljet në kufijtë e kontinentit.
Në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë duke u vendosur pajisjet që do nisin të përdoren të dielën dhe pritet që ky proces të krijojë radhë të shtuara