Pas disa vitesh shtyrjesh për arsye teknike dhe debatash mbi privatësinë, nga 12 tetori në aeroportet dhe pikat kufitare të Bashkimit Evropian do të nisë zbatimi i sistemit të ri Entry/Exit System (EES). Ky sistem dixhital do të zëvendësojë vulat tradicionale në pasaporta për qytetarët e vendeve jashtë BE-së që udhëtojnë pa vizë drejt zonës Shengen.
Kontrolle më të shpejta, më pak radhë
Sistemi EES synon të shkurtojë pritjet në kufi duke regjistruar automatikisht hyrjet dhe daljet e udhëtarëve në mënyrë elektronike. Në vend të vulës, pasagjerëve do t’u merren të dhëna biometrike – gjurmët e gishtërinjve, fotografia e fytyrës dhe, në disa raste, skanimi i irisit.
Ky ndryshim prek udhëtarët nga vende si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Izraeli apo Brazili, që hyjnë në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra – deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Regjistrimi paraprak: një hap i domosdoshëm
Përpara se sistemi të funksionojë plotësisht, udhëtarët duhet të kryejnë një regjistrim fillestar në terminalet automatike të instaluara në aeroporte dhe pika kufitare. Procesi është i thjeshtë: skanimi i pasaportës, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimi i fytyrës.
Fëmijët nën 12 vjeç janë të përjashtuar nga dhënia e shenjave të gishtërinjve. Gjatë regjistrimit, sistemi kërkon gjithashtu disa informacione bazë, si adresa e qëndrimit dhe burimet financiare për udhëtimin.
Ruajtja e të dhënave dhe privatësia
Të dhënat e hyrjeve dhe daljeve do të ruhen për tre vjet, ndërsa dosjet individuale për tre vjet e një ditë, pas së cilës fshihen automatikisht. Çdo udhëtim i ri kërkon regjistrim të ri.
Pse po zbatohet EES?
Synimi kryesor është rritja e sigurisë kufitare dhe menaxhimi më i saktë i flukseve migratore drejt Evropës. BE-ja e konsideron këtë hap si një përmirësim të rëndësishëm në mbrojtjen e kufijve të saj të jashtëm.
Vetëm për fazën e projektimit janë investuar 142 milionë euro, dhe sistemi është zhvilluar nga një konsorcium ndërkombëtar që përfshin kompanitë IBM (SHBA), Leonardo (Itali) dhe Atos (Francë).
Zbatimi i plotë deri në 2026
Zbatimi i sistemit do të bëhet gradualisht, ndërsa pritet që funksionimi i tij i plotë në të gjitha pikat kufitare të BE-së të përfundojë në prill 2026.
Në praktikë, udhëtarët që nga nesër do të përballen me një procedurë pak më të gjatë në herën e parë, por me kalime më të shpejta dhe pa vula në udhëtimet pasuese.