Policia e Kosovës ka finalizuar urdhrin operativ për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, duke hartuar një plan të detajuar për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha fazat.
Sipas njoftimit zyrtar, do të angazhohen zyrtarë policorë nga njësite të ndryshme, të cilët do të mbulojnë katër faza kryesore: periudhën përgatitore, fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe fazën paszgjedhore, përfshirë transportin e materialit sensitiv deri në përfundimin e operacionit.
Policia ka caktuar koordinatorë për bashkëpunim me KQZ-në dhe institucionet e tjera, si dhe ka përgatitur një udhëzues për detyrat ligjore të zyrtarëve gjatë zgjedhjeve.
Qëllimi kryesor i planit është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët, mbrojtja e Qendrave të Votimit dhe strukturave zgjedhore, si dhe ndjekja penale e çdo shkeljeje që cenon të drejtën e votës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Policia u bën thirrje subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshuar përmes numrit 192, adresës [email protected] apo stacioneve më të afërta, për të mundësuar reagim të menjëhershëm dhe ligjor.