Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë shtetas të Shqipërisë – pesë femra dhe dy meshkuj – të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme me substanca narkotike në fshatin Shtedim të komunës së Podujevës.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni policor është zhvilluar rreth orës 12:00 nga njësitë e hetimeve të Stacionit Policor në Podujevë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit.
“Pas informacioneve operative që çuan në identifikimin e një lokacioni ku dyshohej për aktivitet të paligjshëm me drogë, policia ka ndërmarrë aksionin, i cili ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave,” thuhet në komunikatën e Policisë.
Gjatë kontrollit të një shtëpie, zyrtarët policorë gjetën një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe pajisje të përshtatura për tharjen e bimëve narkotike.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe njësitë intervenuese, ndërsa pas arrestimit, në vendngjarje janë angazhuar zyrtarët e njësisë antidrogë, të cilët – në koordinim me Prokurorinë Themelore – po ndërmarrin veprimet e mëtejme hetimore.
Policia ka bërë të ditur se hetimet vazhdojnë, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për procedura të mëtejshme ligjore.