Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e vogël të Leland, në shtetin amerikan të Mississippi-t, ku një e shtënë masive pas ndeshjes së rikthimit të shkollës së mesme (homecoming) ka lënë katër persona të vdekur dhe 12 të plagosur.
Kryetari i bashkisë, John Lee, e përshkroi ngjarjen si të paprecedentë për komunitetin prej rreth 3,700 banorësh. “Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në qytetin tonë. Ne jemi një komunitet i lidhur ngushtë, jo një qytet i dhunshëm,” tha ai për NPR.
Të shtënat ndodhën në qendër të qytetit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit të shkollës së mesme, një aktivitet tradicional që mbledh familjet dhe miqtë për të festuar së bashku. Sipas autoriteteve, gjithsej 16 persona janë qëlluar me armë zjarri. Katër humbën jetën, ndërsa katër të tjerë u transportuan në qendra mjekësore për trajtim.
Qendra Mjekësore e Universitetit të Mississippi-t në Jackson konfirmoi se dy pacientë të lidhur me ngjarjen u transportuan me helikopter gjatë natës, por nuk dha detaje për gjendjen e tyre shëndetësore për shkak të privatësisë së pacientëve.
Departamenti i Policisë së Leland nuk ka dhënë komente, duke u thirrur në hetimin që është ende në zhvillim. Ndërkohë, Byroja e Hetimeve të Mississippi-t ka konfirmuar se po ndihmon në zbardhjen e rastit. Deri më tani, nuk ka asnjë të arrestuar.
Sipas të dhënave të Gun Violence Archive, kjo është një nga mbi 330 të shtëna masive të regjistruara në SHBA këtë vit, ku katër ose më shumë persona janë qëlluar.