KQZ: Dalja ishte 39 për qind, ka nisur numërimi i votave për kryetarë komunash

by Nexhat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sipas të dhënave preliminare, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale votuan 39.07 për qind të qytetarëve.

Në zgjedhjet paraprake, dalja kishte qenë 43 për qind, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

banner

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 95% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është  791 mijë e 123 votues apo 39.07%, nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues. Deri në mbyllje të vendvotimeve, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2021, sipas të dhënave preliminare nga 95% e vendvotimeve, kishin votuar 770 mijë e 171 votues apo 43% e votuesve nga 1 milionë 885 mijë e 448 votues”.

Ai ka thënë se aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve.

“Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

ai tha se procesi i numërimit do të zhvillohet në dy etapa: fillimisht do të numërohen votat për kandidatët në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, ndërsa pas përfundimit të kësaj faze, do të vazhdohet me numërimin e votave për subjektet politike që garuan në zgjedhjet për Kuvendet Komunale.

“Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, vlerësojmë se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit.  Gjatë ditës janë evidentuar disa probleme të natyrës teknike, por ato janë adresuar me efikasitet përmes ndërhyrjes së shpejtë, nën koordinimin e drejtpërdrejtë të KQZ-së, duke mundësuar vijimin e votimit pa ndërprerje në funksionimin e qendrave të votimit”, tha ai.

Radoniqi u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që të veprojnë “me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy