Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, përmes një reagimi ka njoftuar se shumë qytetarë në Pejë kan raportuar shqetësime serioze lidhur me ndryshimin e vendvotimeve pa asnjë paralajmërim apo njoftim paraprak.
Sipas reagimit publik nga LDK-ja në Pejë, qytetarëve të cilëve iu është ndërruar vendvotimi iu është kërkuar që të votojnë në komuna të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me vendbanimin e tyre, transmeton Informim.net
Reagimi i plotë i LDK-së në Pejë
Sot shumë qytetarë kanë raportuar shqetësime serioze lidhur me ndryshimin e vendvotimeve pa asnjë paralajmërim apo njoftim paraprak.
Votuesve iu është kërkuar të votojnë në komuna të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me vendbanimin e tyre.
Ka raste të shumta të qytetarëve autoktonë të Pejës, që tradicionalisht kanë votuar në qendrat e votimit të këtij qyteti, por sot janë përballur me situata absurde ku u është thënë se duhet të votojnë në Mitrovicë, Junik, Drenas apo komuna të tjera.
Këto raste kanë prekur kryesisht votues të LDK-së dhe kandidatit tonë për kryetar, Gazmend Muhaxheri.
Ky veprim i papërgjegjshëm ka dëmtuar procesin zgjedhor në Pejë, ka cenuar besimin e qytetarëve dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në garën e ndershme zgjedhore.
Kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga organet e drejtësisë që urgjentisht të shqyrtojnë këto raste dhe të japin sqarime të plota.
Ky është një shqetësim i thellë që prek vetë thelbin e demokracisë sonë dhe integritetin e procesit zgjedhor