Ka nisur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, i pari i këtij lloji që mbahet në kryeqytetin shqiptar dhe që do të zgjasë dy ditë, më 13-14 tetor. Në ngjarje merr pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri shqiptar Edi Rama falënderoi Komisionin Evropian për bashkëpunimin dhe mbështetjen në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka qenë i përgatitur për të nisur procesin më intensiv të negociatave me BE-në.
“Dua të falenderoj skuadrën tuaj për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm për të bërë realitet këtë gjë. Për një kohë të gjatë, historia e Evropës dhe e Ballkanit Perëndimor është shkruar me gramatikën e pritjes. Por kur momenti erdhi, ne ishim të përgatitur për të nisur së bashku me KE-në procesin e negociatave që nuk mund të ishte më intensiv dhe më çlirues nga fantazmat e së shkuarës”, tha Rama.
Ai gjithashtu vuri në pah se rajoni po përjeton një rritje ekonomike dy herë më të shpejtë se mesatarja evropiane, duke e cilësuar këtë si një “horizont të ri zhvillimi”.
Sipas Kryeministrit, “Ballkani Perëndimor nuk është lagjja e Europës e dorës së dytë, por është horizonti i ri”.
“Një horizont jo prej muresh dhe kufijsh, por horizont energjie dhe imagjinate, ku Europa mund të rizbulojë shkathtësinë e saj, oreksin, urinë e saj, nxitjen krijuese dhe mbi të gjitha dashurinë për jetën, paqen dhe të bërit bashkë”, shtoi Rama.
Rama bëri thirrje që Ballkani të shihet nga institucionet evropiane jo si problem, por si një mundësi për partneritete dhe zhvillim:“Sa më shumë hedhim sytë nga bota rreth nesh, aq më shumë ndjejmë nevojën për më shumë Evropë. Ballkani Perëndimor mund të bëhet laboratori i Evropës, një hapësirë ku investimet shkojnë nga ideja në realizim më shpejt, ku BE-ja dhe rajoni takohen për ta bërë të ardhmen realitet. Ballkani nuk është problem për t’u zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet”, tha Rama.