Amerika ka vendosur sanksione ndaj Naftës Industrisë së Serbisë (NIS), gjë që, sipas autoriteteve serbe, do të ketë pasoja të rënda për vendin. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar qytetarët se situata është shumë serioze, duke theksuar se rezervat e karburanteve do të zgjasin deri në fund të vitit, ndërsa Rafineria e Pançevës do të mund të funksionojë vetëm deri më 1 nëntor.
Por ish-kryeministri i Vojvodinës dhe profesori i së drejtës në Universitetin e Novi Sadit, Bojan Pajtiq, thotë se sanksionet ndaj NIS-it do të kenë pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale për Serbinë. Ai vlerëson se arsyeja kryesore pse këto sanksione janë vendosur është lidhja e ngushtë që presidenti Vuçiq ka krijuar me Rusinë, gjë që, sipas tij, po e çon vendin drejt izolimit dhe krizës së thellë.
“Vuçiq është përgjegjës për këto sanksione, sepse ai po udhëheq një politikë për të cilën nuk ka as kapacitet dhe as kompetencë kushtetuese. Sipas Kushtetutës, politikën e jashtme e udhëheq qeveria, jo presidenti”, thekson Pajtiq.
Ai shton se lidhja e rrezikshme me shërbimet ruse të inteligjencës e ka kthyer Serbinë në një poligon për veprimtari të dyshimta. “Shërbimet ruse, përmes Serbisë, kanë ndihmuar në përgatitjen e trazirave në Moldavi në rast të fitores së forcave pro-evropiane. Po ashtu, shtetas serbë të organizuar nga Rusia janë arrestuar në Francë dhe Gjermani, pasi tentuan të nxisin urrejtje ndërfetare mes myslimanëve dhe hebrenjve”, deklaron Pajtiq.
Ai vëren se pretendimet se shërbimet serbe nuk ishin në dijeni për këto aktivitete janë të pabesueshme, duke pasur parasysh kapacitetet që ato kanë, përfshirë edhe përgjimin në kohë reale të aktiviteteve në universitetet e vendit.
“Edhe pse bota është në një fazë të polarizimit të madh për shkak të luftës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, Vuçiq po i qëndron besnik aleancave që po e kushtojnë shumë shtrenjtë Serbinë. Duhet të kemi parasysh se Serbia, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik, është e varur nga Evropa dhe Bashkimi Evropian”, përfundon Pajtiq.