Specialja rrëzon kërkesën e Prokurorisë që Thaçit t’i kufizohen vizitat me disa persona

by Nexhat

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila kërkonte masa shtesë në paraburgimin ndaj Hashim Thaçit, në rastin ku së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria kishte kërkuar disa kufizime lidhur me vizitat e paprivilegjuara të Thaçit, me arsyetimin se ato janë të nevojshme për të mbrojtur procesin nga çdo përpjekje e Thaçit për t’i penguar procedurat e DhSK-së. Konkretisht, ishte kërkuar që të ndalohet vizita e disa personave tek Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Sipas Prokurorisë, e njëjta kërkesë i është paraqitur edhe gjyqtares së procedurës paraprake në rastin kundër administrimit të drejtësisë ku ishte kërkuar që t’iu ndalohet vizita tek Thaçi 14 personave- duke përfshirë tre vëllëzërit e tij, si dhe Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër persona të tjerë emri i të cilëve është i redaktuar.

Kërkesa nuk ishte pranuar që vizitat të ndaloheshin për vëllezërit e Thaçit, por ishte aprovuar për 11 të tjerët.

Sipas vendimit të 3 shtatorit 2025 i cili u bë publik më 10 tetor 2025, përveç kësaj, Prokuroria kishte kërkuar që çdo gjë që lidhet me këtë rast ose me rastin kundër administrimit të drejtësisë të ndalohet që të diskutohet gjatë vizitave të paprivilegjuara.

Sipas Prokurorisë, masat e kërkuara nuk janë ndëshkuese, por vendosin kufizime të arsyeshme pasi parandalojnë akte të tjera penguese të Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit e kishte kundërshtuar këtë kërkesë të Prokurorisë, duke pretenduar se ndalesa për të diskutuar informacione që janë publike nuk është legjitime.

Sipas mbrojtjes, një kufizim i tillë është i pazbatueshëm dhe pothuajse i pamundur për t’u imponuar.

Ndërsa, sa i përket informacioenve konfidenciale, trupi gjykues ka rikujtuar se në mënyrë të vazhdueshme ua ka ripërsëritur të akuzuarve që ndalohet të diskutojnë ose zbulojnë çdo informacion të klasifikuar si konfidencial përveç me mbrojtjen e tyre.

Sipas trupit gjykues, një masë e tillë nuk ka pse të vendoset pasi tashmë kjo gjë është e ndaluar që nga fillimi.

Ndërsa, duke marrë parasysh faktin se një kërkesë e ngjashme është trajtuar edhe më herët- pra në rastin kundër administrimit të drejtësisë, trupi gjykues ka thënë se nuk do ta trajtojë kërkesën e ZPS-së dhe vlerëson se nuk është e nevojshme që të vendoset ndonjë kusht shtesë që Thaçi të ndalohet që të diskutojë për atë rast.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy