Ish-e dashura e Safet Bajrit, mbetet në paraburgim – Akuzohet për ndihmë në arratisjen e autorëve të vrasjes së Fatbardh Licit

by Nexhat

GJKKO nuk pranoi kërkesën e Eria Agos, ish të dashurës së Safet Bajrit për zëvendësim të masës së sigurisë, duke bërë që ajo të vazhdojë të qëndrojë në qeli.

Eria Ago, e cila ndodhet pas hekurave, dyshohet nga prokurorët e posaçëm se ka përkrahur autorët e vrasjes së Fatbardh Licit, duke i larguar nga vendi i krimit.

banner

Për krimin në pranga kanë rënë Safet Bajri, i njohur si i forti i Dobraçit, Behar Bajri dhe krahu i djathtë i klanit kriminal Bajri, Astmer Bilali.

Sipas SPAK, Fatbardh Lici u vra për shkak të përplasjes mes grupeve.

Viktima është xhaxhai i Ibrahim Licit, kundërshtarit të përbetuar të Bajrave, që ndodhet në kërkim ndërkombëtar.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, dyshohet se pas vrasjes së Fatbardh Licit, Eria Ago ka marrë me makinë dhe ka sjellë në Tiranë, Astmer Bilalin, ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.

“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetasja E.A. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet (Bajri) Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga E.A”, thuhet në dosjen hetimore.

Po ashtu, sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Shkodrës, e cila ka hetuar fillimisht vrasjen dhe më pas SPAK, rezulton se pasi ka ardhur në Tiranë, Astmer Bilali ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin dyshohet se ia ka lënë tek shtetasi Pëllumb Gjoka.

Makina që dyshohet se përdorën autorët në vrasjen e Fatbardh Licit
Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat dhe më pas është larguar në drejtim të Vlorës.

“Pasi personat kanë kryer vrasjen, personi nën hetim Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi në hetim Astmer Bilali është larguar menjëherë për në Tiranë së bashku me shtetasen E.A. Pasi ka arritur në Tiranë, ai i ka kërkuar rojes së parkimit në zonën e ish-kinemës ‘Partizani’ dhe ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin ia ka lënë dyshohet tek shtetasi Pëllumb Gjoka. Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat. Më pas ai është larguar në drejtim të Vlorës.

Këto rrethana rezultojnë të provuara nga komunikimet e shumta telefonike të kryera ndërmjet personave nën hetim, si dhe nga komunikimet e kryera nga personi nën hetim Astmer Bilali me shtetasen E.A., si dhe nga tabulatet telefonike, pamjet filmike dhe vendndodhjet e personave nën hetim,” thuhet në dosjen hetimore.

Kujtojmë se Safet Bajri u arrestua me urdhër të SPAK më 21 shkurt 2025. Bajri dhe anëtarët e grupit të tij janë të dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit, vëllai i Mustafa Licit, ky i fundit babai i Ibrahim Licit dhe Hamza Licit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash më 10 gusht të vitit 2018 në Kiras të Shkodrës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy