Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave në kuadër të zgjedhjeve lokale është duke vazhduar në shumicën e Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) në gjithë Kosovën, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se aktualisht procesi është duke u zhvilluar në komunat Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prizren (me 6 grupe numërimi), Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
“Në Qendrën Komunale të Numërimit në Han të Elezit, procesi i numërimit dhe verifikimit është përmbyllur të hënën në mbrëmje,” tha Elezi.
Sipas tij, deri më tani janë verifikuar rezultatet për Kryetarë të Komunave, si dhe për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Deri tash janë procesuar votat nga 250 vendvotime në nivel vendi, që përfshijnë 500 kuti votimi për të dy llojet e zgjedhjeve.
“Platforma e rezultateve është duke funksionuar pa ndonjë problem,” konfirmoi zëdhënësi i KQZ-së.
Megjithatë, në disa komuna – konkretisht në Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot – procesi nuk është duke u zhvilluar aktualisht për shkak të problemeve me rrjetin e internetit.
“Rrjeti i dobët i internetit po pamundëson transmetimin e pamjeve në ekranet për vëzhguesit, të cilat duhet të shfaqin në kohë reale fletëvotimet e numëruara në tavolinat e numërimit,” sqaroi Elezi.
Ai shtoi se ekipet teknike të KQZ-së janë duke punuar për të zgjidhur problemet dhe për të siguruar fillimin e këtij procesi edhe në këto Qendra Komunale të Numërimit sa më shpejt që të jetë e mundur.
“KQZ do të njoftojë me kohë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë proces,” përfundoi Valmir Elezi.