Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka rishpërndarë thirrjen për protestën gjithëkombëtare që do të mbahet të premten në sheshin “Skënderbe” në Tiranë. Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, ai ka ndarë thirrjen zyrtare për protestë duke shtuar pyetjen simbolike: “A jeni gati?”
Protesta, e cila pritet të nisë në orën 17:00, është organizuar nga kategori të ndryshme të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka për qëllim të bëjë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Pjesëmarrja është paralajmëruar të jetë e gjerë dhe mbështetja politike nuk ka munguar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestë, së bashku me ish-presidentin Alfred Moisiu dhe liderin e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.
Thirrja e Endrit Thaçit, në një moment simbolik për fatin e liderëve të UÇK-së, është parë si një mesazh për mobilizim dhe unitet mbarëkombëtar. Protesta synon të tregojë solidaritet dhe mbështetje ndaj atyre që, sipas organizatorëve, po përballen me procese të padrejta.
Organizatorët kanë ftuar qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare që të bashkohen në këtë tubim paqësor për të kërkuar drejtësi dhe për të treguar që “UÇK-ja nuk është e vetme”.
