Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) dhe tetë organizata partnere i kërkuan Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të mërkurën që të ngrejë çështjen e krizës në rritje të lirisë së shtypit në Ballkanin Perëndimor, gjatë vizitës së saj në rajon këtë javë.
Kjo organizatë, shqetësim për përkeqësim të lirisë së shtypit shpreh edhe në rastin e Kosovës, duke thënë se pushteti po u bën presion mediave, si publike, ashtu edhe private, raporton Klankosova.tv.
“Deklarata e përbashkët thekson përkeqësimin e rëndë të lirisë së shtypit në rajon, duke përfshirë mbylljen e menjëhershme të Al Jazeera Balkans; rritjen alarmante të dhunës dhe kërcënimeve kundër gazetarëve në Serbi, miratimin e një ligji për ‘agjentë të huaj’ në Republikën Sërpska të Bosnjës dhe Hercegovinës; dhe presionin qeveritar mbi transmetuesit publikë dhe mediat private në Shqipëri dhe Kosovë”.
“Koalicioni paralajmëron se këto zhvillime përfaqësojnë një kërcënim ekzistencial për gazetarinë e pavarur dhe i bën thirrje BE-së të mbajë autoritetet përgjegjëse, duke përfshirë edhe përmes pezullimit të mundshëm të fondeve të BE-së nëse është e nevojshme”, u tha në reagimin e CPJ-së dhe tetë organizatave partnere.
Nënshkruesit theksojnë se liria e shtypit dhe siguria e gazetarëve duhet të mbeten pjesë qendrore në procesin e zgjerimit të BE-së dhe se unioni duhet të dërgojë një sinjal të qartë se mediat e pavarura janë të domosdoshme për demokracinë dhe vlerat evropiane në Ballkanin Perëndimor.