Karabinierët e Quattro Castella kanë arrestuar një 32-vjeçar me kombësi shqiptare, i cili në qershor të vitit të kaluar ishte kapur me 25 kilogramë kokainë të fshehur në banesën e tij.
Ai kishte rënë në radarët e karabinierëve të Scandiano gjatë një operacioni të gjerë monitorimi kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Hetimet kishin çuar në përqendrimin e vëmendjes, mes të tjerëve, edhe tek ky 32-vjeçar, i dyshuar se kishte një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në atë zonë të provincës së Reggio Emilias.
Gjatë një kontrolli të autorizuar në shtëpinë e tij, karabinierët gjetën në dhomën e gjumit pesë çanta të mbushura me pako plastike të tejdukshme me kokainë, me një peshë totale mbi 25 kilogramë.
Në kuzhinë, mbi sobë, u gjet e gjithë pajisja për paketim dhe peshim të dozave: 35 qese plastike për vakum, një rul plastike, një rul celofani dhe dy peshore precize elektronike, si dhe dy telefona celularë.
Në një komodinë u gjet gjithashtu një çantë laptopi me tre pako me para cash me prerje të ndryshme, që arrinin në rreth 22.000 euro.
Në bazë të atyre që u zbuluan, ai u arrestua në flagrancë për mbajtje droge me qëllim shpërndarjeje. Disa muaj më pas, gjykata i dha masën e arrestit shtëpiak.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor, gjykata e Reggio Emilias e shpalli fajtor dhe më 29 maj Gjyqtari për Hetimet Paraprake (GUP) e dënoi me pesë vite burg, një vendim që u bë përfundimtar më 30 shtator. Duke zbritur periudhën që kishte vuajtur në paraburgim apo arrest shtëpiak, i mbeten edhe katër vjet, dy muaj dhe gjashtë ditë burg, si dhe një gjobë prej 33.333 eurosh.
Më 11 tetor, Zyra e Ekzekutimeve Penale e Prokurorisë së Reggio Emilias lëshoi urdhrin për ekzekutimin e dënimit. Karabinierët shkuan në banesën e tij, e arrestuan dhe e dërguan në burg.