Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, dje ishte për vizitë te familja Gorani, në përvjetorin e martesës së çiftit Gorani, i cili thuhet se ishte i pari që u martua me flamurin kuqezi në Pejë.
Djali i Suad Goranit, Arbeni, në një shkrim në llogarinë e tij në “Facebook” tregoi se më 10 tetor të vitit 1968, babai i tij kishte vendosur që dasmën ta bënte me flamur kombëtar, gjë që sipas tij, në atë kohë një vendim i tillë ishte diçka e paimagjinueshme,
“Organizimin prindi e kishte bërë me Rashit Goranin dhe familjen Gorani, ku është vendosur që bajraktar të jetë Qamil Gorani. 13 tetor 1968! Kjo datë është një ditë e veçantë për familjen Gorani! Flamurin, prindi im Saud Gorani, e dërgon me qëndisje te familja e Remzi Balokut”, thotë Arbeni.
Tutje, ai tregon se si një natë para martesës, flamuri kombëtar ishte shpalosur në shtëpinë e Reshat Goskës, me shokët Ejyp Kastrati, Muhamet Kastrati, Adem Mulhaxha, Ejyp Zatriqi dhe Halil Gjikolli – “ku me krenari u këndua Himni Kombëtar”.
Arbeni tregoi më tej se në ditën e dasmës, më 13 tetor 1968, rreth 100 dasmorë të armatosur ishin nisur nga shtëpia e Suad Goranit, nga Lagjja “Jarina” për në Lagjen “Karagaq” në këmbë, me flamurin kombëtar përpara.
“Gjyshi im, Avdullah Zeka, patriot i madh, sapo pa që krushqit po vinin për nusen me flamur, i tha dajës tim: ‘Zbriti krejt plisat nga tavani i shtëpisë!’ Afërsisht 500–600 plisa iu dhuruan dasmorëve”.
“Nga Lagjja Karagaq deri në Lagjja Jarina, në kthim, u bashkuan shumë qytetarë të Pejës”.
“Ajo ditë në Qytetin e Pejës u shndërrua në festë të vërtetë kombëtare”, shkroi Arben Gorani, teksa theksoi se shkrimi është përpiluar së bashku me nënën e tij – “Nusen e dasmës me flamur”.