Në një ekzekutim në grup, në rrugë, në mes të ditës dhe para turmës, i filmuar dhe shpërndarë në rrjetet sociale, milicitë e Hamasit treguan qartazi se kush po rikthen kontrollin në Gaza.
Videoja, disa sekonda e gjatë, tregon se asnjëra prej dy fazave të planit të Sharm el‑Sheikh nuk e kishte parashikuar këtë dhunë të brendshme.
Në lagjen Sabra të Gazës, militantët e Hamasit u lidhën sytë me shami tetë personave, u lidhën duart pas shpine, i bënë të gjunjëzohen dhe i qëlluan në kokë dhe në kraharor.
Rreth skenës ishin grumbulluar të paktën 100 veta, të mbledhur nga vetë Hamas.
Pamjet u transmetuan të hënën nga televizioni i grupit islamist, al‑Aqsa.
Kjo nuk është hera e parë.
Për dy muaj me radhë qarkullojnë video të tilla, si pjesë e asaj që Hamas e quan ligj kundër klaneve dhe grupeve të armatosura rivale, por edhe ndaj opozitarëve. Marrja e kontrollit mbi zonat që ushtria izraelite nuk i mban më është karta kryesore që secili aktor synon të luajë kur të nisin negociatat për fazën e dytë, kur Izraeli dhe amerikanët do t’i kërkojnë Hamasit çarmatosjen dhe ndoshta edhe dëbimin.
Sipas burimeve palestineze për Repubblica, tetë të vrarët në Gaza i përkasin klanit Doghmush, një nga grupet më të fuqishme atje, që mohon me forcë akuzat për bashkëpunim.
Që nga fillimi i armëpushimit, Hamas ka arrestuar rreth 60 anëtarë të Doghmush ndërsa 28 prej tyre janë vrarë. Të zgjedhurit për ekzekutim publik njiheshin në lagje edhe si hajdutë, ndaj mesazhi ndaj banorëve të Gazës ishte i dyfishtë.
Klani Doghmush kanë qenë tradicionalisht kundër Hamas, megjithatë, në 2006-ën disa anëtarë iu bashkuan islamistëve dhe u përfshinë në rrëmbimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit.
Përplasjet e tanishme me Doghmush vazhdojnë prej javësh dhe u përshkallëzuan sidomos pas armëpushimit. Të shtunën, 11 tetor, në orët e para të mëngjesit, rreth 300 militantë sulmuan një bllok në lagjen Tel al‑Hawa, në jug të Gazës, bastion i Doghmush. Në terren mbetën 27 të vrarë, 19 nga klani dhe tetë nga Hamas.
Presidenti amerikan, Donald Trump, që të hënën, 13 tetor, gjatë fluturimit midis Tel Avivit dhe Sharm el‑Sheikh, tha se do të lejojë që policia e Hamasit të marrë përgjegjësinë “përkohësisht” për sigurinë në Gaza dhe duket se nuk është shumë i shqetësuar.
Kur dje e pyetën për ekzekutimet, të cilat i ka dënuar edhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Abu Mazen, ai u shpreh:
Hamas ka eliminuar disa banda, por më pas do të çarmatoset, kështu më thanë ata. Dhe nëse nuk do të çarmatoset? Do t’i çarmatosim ne, shpejt dhe ndoshta me forcë. Ata e dinë që me mua nuk bëhet lojë.
Një rrjet anarkik i grupeve të armatosura dhe familjeve rivale po tërheq Rripin e Gazës drejt rrezikut të luftës civile, sidomos nëse nuk do të ndërhyjnë forcat ndërkombëtare të stabilizimit të parashikuara nga Plani i Trump. Gaza nuk është e vetmja pikë e nxehtë.
Në Khan Yunis, përleshjet për llogari të hakmarrjeve kishin nisur para armëpushimit: më 3 tetor rreth 250 veta sulmuan lagjen Majayda, bastion i një klani kryesisht të lidhur me Fatah dhe përleshja, që zgjati orë të tëra, la të paktën 12 viktima