Skuadra e Bashkimit nga Prizreni ka debutuar me humbje në fazën grupore të garës evropiane “FIBA Europe Cup”, pasi është mposhtur nga Cibona e Zagrebit me rezultat 93:79.
Ndeshja është zhvilluar të enjten mbrëma në palestrën legjendare “Dražen Petrović” në kryeqytetin kroat.
Prizrenasit e kanë nisur mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me rezultat 22:18, por më pas janë dominuar nga përvoja dhe efikasiteti i kroatëve.
Cibona e ka fituar çerekun e dytë 29:19 dhe të tretin 27:15, duke krijuar epërsi të lartë që është menaxhuar lehtë deri në fund të ndeshjes.
Çereku i fundit ka përfunduar 23:19 në të mirë të Bashkimit, por pa ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Epërsia më e madhe e Cibonës ka shkuar deri në 20 pikë, ndërsa skuadra vendase ka shënuar 53% të gjuajtjeve nga loja kundrejt 44% të Bashkimit.
Kyan Anderson ka qenë më i miri te Bashkimi me njëzet e dy pikë, një asistim dhe dy topa të vjedhur. Me lojë të mirë janë dalluar edhe Jan Palokaj, që ka kontribuar me gjashtëmbëdhjetë pikë dhe katër asistime, ndërsa Isaiah Cousins ka shtuar pesëmbëdhjetë pikë dhe tri kërcime.
Te Cibona ka shkëlqyer Justin Roberson me njëzet e një pikë, ndërsa Zan Sisko ka realizuar “double-double” me pesëmbëdhjetë pikë dhe dhjetë asistime.
Për Bashkimin, kjo ka qenë araqitja e parë në arenën evropiane. Prizrenasit janë kualifikuar në fazën grupore si njëra prej skuadrave më të mira humbëse pas eliminimit nga Anwili i Polonisë në raundin kualifikues.
Në të njëjtin grup me Bashkimin (Grupi J) janë edhe Dijon i Francës dhe Reggiana e Italisë. Reggiana e ka mposhtur Dijon me rezultat 96:88 në ndeshjen tjetër të grupit.
Në “FIBA Europe Cup” këtë sezon garojnë dyzet skuadra, ndërsa vetëm fituesit e dhjetë grupeve dhe gjashtë ekipet më të mira të vendeve të dyta do të avancojnë në raundin tjetër.
Në këtë garë po merr pjesë edhe kampionia e Kosovës, Trepça, e cila e ka humbur ndeshjen e parë në Grupin F ndaj PAOK të Greqisë