Një aksion policor është zhvilluar në Gjakovë, ku Njësia e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësi të tjera policore, ka zbatuar një urdhër bastisjeje të lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të pronës së dy personave të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë me peshë 5.71 gramë, një pushkë ajrore, 23 fishekë revolveri, dy peshore elektronike, si dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.
Për veprimet e mëtejme është njoftuar Prokuroria Themelore e Gjakovës, ndërsa të gjitha provat materiale janë sekuestruar si dëshmi.
Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre është inicuar rasti penal për veprën “Blerje, shitje ose posedim i substancave narkotike”.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të mundshëm të bashkëpunëtorëve të tjerë.