Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dëshmitari Hasan Kerolli, të enjten deklaroi se edhe pas njoftimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ishin udhëzuar që të vazhdojnë me tregtimin e energjisë me kompaninë Holding Slovenske Elektrane (HSE), përkundër se nuk ishte e licencuar në Kosovë apo Shqipëri.
“Edhe pas njoftimit të ZRrE-së, na kanë udhëzuar që të vazhdojmë tregtimin siç kanë vazhduar më parë, deri në njoftim të radhës”, tha Kerolli.
Kerolli, i cili është ekspert i lartë për analiza të tregut dhe tregtimit të energjisë në KEK, tha se kompania HSE në momentin e nënshkrimit të kontratës EFT, ka qenë e parakualifikuar pasi që në periudhën 2021-’22 nuk ishte kërkuar licenca nga ZRRE.
Lidhur me këtë, Kerolli tha se me kompanitë me të cilat kanë bërë tregtimin e energjisë- duhet të kenë selinë në Kosovë, mirëpo në rastin konkret, kompania HSE deri në vitin 2022 nuk ka pasur ndonjë pengesë apo ndalesë, dhe se nuk e kanë parë të arsyeshme që të bëjnë dy kompani paralelisht.
Ai deklaroi se për të hyrë në kontratë me KEK-un, duhet të plotësohen disa kushte, siç janë dosja e parakualifikimit ku përfshihen licenca nga ZRrE ose e njohur nga ZRrE, certifikata e biznesit, dëshmia nga gjykata se nuk janë të dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me biznesin, si dhe nga Gjykata Komerciale- dëshminë së nuk është pranë falimentimit, e të tjera.
Ai tha se në fund të vitit 2021, KEK-u ka filluar blerjen e energjisë dhe e kanë vazhduar deri më 10 janar 2022 dhe më 21 dhe 22 janar 2022, e më pas KESCO e cila ka bërë importimin e energjisë me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kerolli theksoi se deri në vitin 2022 nuk kanë pasur ndonjë njoftim nga ZRrE-ja, se është ndaluar tregtimi. Pra, sipas tij, tregtimin e energjisë e kanë bërë me kompani të licencuara nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e BE-së.
Ndërsa, sipas tij, në vitin 2022, Zyra për tarifa dhe çështje rregullative, ka pranuar njoftimin që të ndërprehet tregtimi me të gjitha kompanitë të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë ose që nuk kanë licencë apo memoradum bashkëpunimi me Shqipërinë.
Gjatë kohës së rimarrjes në pyejte të dëshmitarit nga ana e Prokurorisë, i akuzuari Krasniqi iu drejtua gjykatës se kishte dy pyetje për dëshmitarin.
Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, njoftoi të akuzuarin, se ka kaluar radha e tij dhe sipas procedurës gjyqësore dhe dispozitave ligjore, mborjtja nuk ka të drejtë në rimarrje në pyetje të dëshmitarit pas Prokurorisë, pasi që është dëshmitar i kësaj të fundit.
Seanca vazhdon në sesionin e pasdites, me rimarrjen në pyejte të dëshmitarit Kerolli, nga ana e Prokurorisë./“Betimi për Drejtësi/