Ushtarët nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kroacia kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët ushtarake, me synim forcimin e aftësive ndërvepruese dhe operacionale, si dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet forcave aleate dhe partnere.
Lajmi u bë i ditur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral-lejtënant Arben Kingji, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Me këtë rast, shpreh urimet më të përzemërta për gjithë personelin e Forcave Speciale me rastin e 27-vjetorit të krijimit”, ka shkruar Kingji.
Ai vlerësoi lart rolin e Forcave Speciale, duke i cilësuar ato si simbol i profesionalizmit, përkushtimit dhe dinjitetit të Forcave të Armatosura, si dhe burim krenarie për kombin dhe përkushtimit ndaj vlerave të Aleancës.
“Faleminderit për shërbimin dhe kontributin tuaj të çmuar në mbrojtje të sigurisë kombëtare dhe vlerave të Aleancës”, shtoi Kingji.