Nuk ka paqe mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend.
Pas rinisjes së seancës, një përplasje e ashpër është regjistruar mes kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, transmeton klankosova.tv.
”Ju lutem uluni zoti Bardhi, se po prishni seancën dhe nuk po lejoni drejtuesin e institucionit të pavarur që t’i përgjigjet pyetjeve”, ishin fjalët me të cilat Peleshi iu drejtua Bardhit përpara se t’i komunikonte përjashtimin nga seanca.
”Unë nuk kam për ta lejuar që të prishni seancën me pyetje, sepse nuk ma lejon as mua rregullorja. Zoti Bardhi, në bazë të rregullores, iu hiqet e drejta fjalës për gjithë ditën! Për herë të katërt, ju jeni i përjashtuar zoti Bardhi”, citon a2cnn, kreun e Kuvendit.
Pas fjalës së Peleshit, seanca u ndërpre për pesë minuta por edhe pas rifillimit të saj, Gazment Bardhi është bërë protagonist i tensionit duke refuzuar që të lërë sallën e Kuvendit.
Bardhi vijoi të qëndrojë në sallë, edhe pse seanca u ndërpre fillimisht për 5 minuta, transmeton klankosova.tv.
Pas rifillimit dhe refuzimit të Bardhit për t’u larguar nga seanca, Peleshi ndërpreu sërish seancën dhe ftoi Bardhin që të lërë sallën e Kuvendit.