Çështja e arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka kaluar kufijtë e vendit, duke u bërë temë diskutimi në Bundestagun gjerman. Deputeti Andreas Meyer i është drejtuar zyrtarisht Qeverisë Federale me një sërë pyetjesh mbi rastin, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tij në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe në perceptimin për pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Në pyetjet e tij, deputeti Meyer pyet: “se a është i njohur për Qeverinë Federale rasti i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, me sa duket për një periudhë joproporcionale prej tetë muajsh, prej të cilëve gjashtë pa akuzë, si dhe a është e njohur për Qeverinë Federale vlerësimi për Shqipërinë, nëse po, cilat përfundime nxjerr ajo prej kësaj në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?
Deputeti gjerman i ka drejtuar qeverisë gjermane edhe pyetjen: a janë të njohura për Qeverinë Federale raportimet mediatike, sipas të cilave ka ndërhyrje në autonominë e pushtetit vendor, dhe nëse po, cilat përfundime nxjerr ajo prej kësaj në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në përgjigjen e saj zyrtare, Qeveria Federale Gjermane nënvizon se si Gjermania ashtu edhe Shqipëria kanë ratifikuar Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke u angazhuar për respektimin e pavarësisë politike, administrative dhe financiare të njësive vendore.
“Qeveria Federale po ndjek me vëmendje zhvillimet përkatëse dhe do të presë rezultatet e vizitës së ardhshme të monitorimit nga Kongresi i Pushteteve Vendore dhe Rajonale të Evropës në kuadër të Kartës Evropiane” thuhet në përgjigjen e saj, raporton gazeta Tema.
