Mentor Hyseni, drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, në EURO n’T7 ka thënë se të hyrat e mbledhura nga ATK janë rritur vit pas viti, por sistemi i brendshëm i administratës është vjetëruar, pak i digjitalizuar dhe me një lëkundje të besimit të bizneseve në punën e punonjësve të saj.
Hyseni, i cili në krye të ATK-së është zgjedhur para dy muajsh, ka folur për herë të parë edhe për diskutimet se ai është i deleguar politik në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme në vend.
“Ne si shoqëri jemi politizuar. Çdokush ka një vizion politik dhe mendon se njëra apo tjetra parti do ta përfaqësojë shtetin më mirë e më drejt. Unë kam një karrierë profesionale prej më shumë se 21 vitesh dhe shumica, duke përfshirë edhe partitë politike, më njohin si profesionist — duke iu referuar faktit që në katër vitet e fundit kam qenë kryesues i Bordit të AKP-së, si një institucion i ndjeshëm dhe me shumë probleme, dhe as ju si media e as mediat e tjera nuk keni shkruar asnjëherë për punë të jashtëligjshme. Do të doja që të gjithë të mos lëshohen në doza paragjykimesh, sepse as unë nuk po e bëj atë — dhe dua t’ia lë kohës për të parë se si do të ecë ATK-ja në vitin e parë e tutje,” ka thënë Hyseni.
Drejtori i ri i ATK-së, që nga marrja e mandatit, ka nisur ndryshime në udhëheqjen e administratës, dhe këtë thotë se e ka bërë duke u bazuar në aftësitë profesionale, menaxheriale dhe objektivat e tij.
“Ideale për një administratë funksionale do të ishte një përzierje mes profesionalizmit që inspektorët kanë brenda dhe sjelljes së ‘gjakut të ri’ ose vullnetit të ri nga jashtë. Kjo, mendoj, do të jetë formula ime qeverisëse për një ATK sa më funksionale dhe bashkëpunuese me bizneset. Ndryshimet e bëra deri më tani nuk kanë asnjë lidhje me politikën dhe asnjë ndryshim nuk është bërë duke sjellë dikë nga jashtë. Edhe pse në ATK ka simpatizantë të partive politike, në asnjë moment kjo nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kriter për ndryshime,” ka shtuar Hyseni.