Nëse Shtetet e Bashkuara i japin Ukrainës raketat me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit do të shkatërroheshin. Kjo ka qenë deklarata e fortë e presidentit rus Vladimir Putin, pak para takimit të Donald Trump me Volodymyr Zelensky.
Kreu i Kremlinit tha gjithashtu se personeli ushtarak amerikan do të duhet të përfshihet drejtpërdrejt në përdorimin e raketave dhe ky veprim do të shkaktonte një fazë krejtësisht të re të përshkallëzimit.
Raketat Tomahawk kanë qenë një kërkesë e hershme e Kievit, me qëllim që të goditen objektivat brenda Rusisë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua këtë të premte me përfaqësues të kompanisë amerikane “Raytheon”, kompani e cila prodhon raketat “Patriot” dhe “Tomahawk”.
Këto raketa kanë rreze të gjatë veprimi deri në 2,500 kilometra dhe janë të afta të godasin thellë brenda territorit rus, duke ndihmuar kështu Ukrainën në përpjekjet për mbrojtje. Mbrëmjen e së premtes pritet të zbulohet nëse Uashingtoni do t’ia japë Ukrainës këto raketa shumë të kërkuara, por sipas një ish-oficeri të marinës amerikane që foli për BBC-në, kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Ndërkohë, një ditë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump, me kërkesë të Moskës, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin rus, Vladimir Putin, për të cilin deklaroi se do ta takojë sërish në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë, brenda dy javëve të ardhshme.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán konfirmoi se vendi i tij ka nisur përgatitjet për samitin Trump–Putin në Budapest dhe theksoi se Presidenti rus nuk do të arrestohet nëse hyn në territorin hungarez. Hungaria ka detyrim ligjor për ta arrestuar Putinin, pasi ndaj tij ekziston një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, por Budapesti pritet të tërhiqet zyrtarisht nga kjo gjykatë në qershor të vitit të ardhshëm. Megjithatë, Orbán dhe Putini kanë qenë aleatë ndër vite, dhe është e qartë se presidenti rus nuk do të arrestohet.
Moska nuk ka hequr dorë nga qëllimet e saj maksimaliste për aneksimin e katër rajoneve lindore të Ukrainës, ndërsa trupat ruse vijojnë avancimin në vijën e frontit. Bashkimi Evropian dhe Ukraina e kanë bërë të qartë se nuk mund të ketë marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit nëse ajo cenon integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit ukrainas. Nga ana tjetër, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar disa herë gjatë këtij viti, me Trumpin që deklaron se, për të arritur paqen, të dyja palët duhet të bëjnë lëshimet e tyre.