Shekerinska: Ballkani Perëndimor mbetet prioritet strategjik i NATO-s

by Nexhat

Në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Aleancës, Radmila Shekerinska, theksoi angazhimin e fortë dhe afatgjatë të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të misionit KFOR dhe mbështetjen e vazhdueshme për dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Edhe pse flasim për sfidat globale të sigurisë, situata në Ballkanin Perëndimor është gjithmonë në krye të agjendës sonë. KFOR mbetet misioni ynë më i gjatë dhe më i madh, që tregon qartë rëndësinë strategjike të rajonit për Aleancën”, theksoi Shekerinska.

banner

Si përgjigje ndaj sfidave të sigurisë, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në vitin 2023 dhe sulmin terroristë në Banjskë, NATO reagoi me vendosmëri duke rritur numrin e trupave dhe duke forcuar praninë në terren.

“Kjo tregon angazhimin tonë të sinqertë jo vetëm në prezencën ushtarake, por edhe në mbështetjen e dialogut politik me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Besojmë se rruga e vetme e qëndrueshme drejt paqes kalon përmes negociatave politike, dhe ne e mbështesim këtë proces me veprime konkrete në terren”, theksoi Shekerinska për RTK2.

Duke folur për bashkëpunimin me vendet e rajonit, Shekerinska veçoi rëndësinë e partneritetit me Serbinë, i cili, sipas saj, bazohet në përfitime të ndërsjella dhe vullnet të lirë.

Gjithashtu, ajo theksoi se zëri i KFOR-it dëgjohet dhe respektohet sot si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, dhe qytetarët e Kosovës e njohin rolin e KFOR-it si garant të paqes dhe stabilitetit.

Në pyetjen lidhur me ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s paralajmëroi për përpjekjet e vazhdueshme për destabilizim përmes veprimeve hibride, dezinformimit dhe ndërhyrjes politike.

“NATO nuk i sheh këto dukuri në mënyrë pasive. Po investojmë më shumë se kurrë në forcimin e kapaciteteve tona ushtarake, por edhe në qëndrueshmërinë e shoqërive tona. Dërguam një mesazh të qartë në samitin në Hagë: do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës dhe nuk do të lejojmë që uniteti dhe vendosmëria e NATO-s të vihet në dyshim”, theksoi Shekerinska.

Në fund, Shekerinska theksoi se NATO do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke punuar për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy