“Liderët e UÇK-së janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse”. Kështu u shpreh ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu në fjalën e tij gjatë protestës që po mbahet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëvë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
Duke i cilësuar si bijtë më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, Moisiu u shpreh se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli kanë kryer detyrën më të lartë atë të çlirimit të Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet.
“Jemi mbledhur në zemër të Tiranës për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe për të ngritur zërin për padrejtësinë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK që luftuan për lirinë e atdheut. Në vitin 2022, bashkë me presidentin Rexhep Meidani, Bamir Topi, Pandeli Majko, në dhomat e paraburgimit për të takuar personalisht presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, në bisedë me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin të frikësuar, por burra të vërtetë, qëndronin të qetë, të gatshëm për t’u sakrifikuar për të pasur luftën e UÇK-së pa njollat që padrejtësisht duan t’i japin ata që nuk i njohin mirë shqiptarët. Ata kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore; çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër vëllezërve të UÇK-së. Janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse”.
Ish-kreu i shtetit shqiptar bëri thirrje që të ngrihet zëri për padrejtësinë që po u bëhet luftëtarëve të UÇK-së dhe të mos lejohet nëpërkëmbja e gjakut të dëshmorëve shqiptarë, të rënë për lirinë e Kosovës.
“Dua të theksoj se lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO dhe SHBA, dhe nga partnerët e rëndësishëm perëndimorë. Komandantët udhëheqës të UÇK-së, dëshiroj të them se shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë, por në tre raste janë shqiptarët që kanë luftuar për veten: në kohën e Skënderbeut, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe UÇK.
Të dashur miq, është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së, liri luftëtarëve të UÇK-së”, tha Moisiu.
Mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat janë mbledhur në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë ku po protestojnë për ish-krerët e UÇK-së që prej 5 vitesh mbahen në qeli në Hagë. Protesta me moton “Liria ka emër” nisi në orën 17:00 me himnin shqiptar, ndërkohë që i gjithë sheshi është veshur nga flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së./A2