Sezoni i gripit ka mbërritur shumë më herët se zakonisht në Japoni këtë vit, plot pesë javë para krahasuar me vitin 2024. Deri më 10 tetor janë raportuar 6 mijë e 13 raste të konfirmuara, ndërsa mbi 100 shkolla kanë vendosur të mbyllen përkohësisht.
Këto shifra alarmante e shtynë Ministrinë e Shëndetësisë në Tokio që më 3 tetor të shpallte se “Japonia është në mes të një epidemie gripi”, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin masa parandaluese si larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i maskave dhe vaksinimi.
Sipas ministrisë, ky është “fillimi i dytë më i hershëm i sezonit të gripit në 20 vitet e fundit”. Revista shkencore Nature shkruan se numri i rasteve është i pazakontë për këtë periudhë dhe mund të shkaktojë shpërthime në vendet që po hyjnë në sezonin dimëror në Azi dhe Evropë, edhe pse nuk pritet të kthehet në pandemi globale.
Gjatë muajit shtator, nga 287 persona të shtruar në spital për grip, gati gjysma ishin fëmijë nën moshën 14 vjeç. Normalisht, sezoni i gripit në Japoninë e Lindjes së Largët nis në fund të nëntorit. Ekspertët thonë se rritja e udhëtimeve ndërkombëtare pas pandemisë së COVID-19 mund të jetë një nga shkaqet e fillimit të hershëm. Virologu Vinod Balasubramaniam nga Universiteti Monash në Malajzi përmend edhe faktorë si ndryshimet klimatike dhe mungesa e ekspozimit ndaj virusit, veçanërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
Sipas ekspertëve të intervistuar nga Nature, shpërthimet mund të lidhen me një variant të gripit A, të quajtur H3N2, i cili ka prekur Australinë dhe Zelandën e Re gjatë muajve të fundit, në përfundim të dimrit në hemisferën jugore. Me rritjen e numrit të udhëtarëve nga Australia drejt Japonisë, rritet edhe mundësia e përhapjes së virusit.
Në gazetën japoneze Asahi Shimbun, profesori i Shëndetit Publik Reiko Saito nga Universiteti i Niigatës tha se numri rekord i turistëve të huaj në Japoni ka ndikuar në përhapjen e hershme të gripit. “Si zakonisht, një epidemi më e gjerë pritet të ndodhë mes fundit të dhjetorit dhe shkurtit. Nuk ka arsye për panik, por mendoj se është më e sigurt që fëmijët dhe të moshuarit të vaksinohen deri në fund të nëntorit.”