Aksioni i nisur nga Qeveria për lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e ligjshmërisë në territor ka vijuar pa ndërprerje edhe gjatë ditës së shtunë. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje të reja nga terreni, duke konfirmuar vendosmërinë për të çuar aksionin deri në fund, pa asnjë tolerancë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ka publikuar pamje nga ndërhyrjet e fundit, ku shihet prishja e subjekteve dhe strukturave të ndërtuara në kundërshtim me ligjin, duke zaptuar hapësira që u përkasin qytetarëve.
“S’ka pushim jo, në çdo rrugë e lagje dhe deri në fund,” shkroi Rama, duke theksuar se aksioni do të jetë i pandërprerë në të gjithë vendin.
Ky aksion, i cili ka nisur si nismë kombëtare që prej muajit korrik, synon lirimin e plotë të të gjitha hapësirave publike – qoftë trotuare, sheshe apo zona të gjelbra – të zaptuara padrejtësisht. Në fokus janë të gjitha bizneset dhe lokalet që kanë shtuar sipërfaqe duke përdorur rrethime metalike, struktura prej xhami, apo shtrirjen abuzive të karrigeve e tavolinave.
Lirimi i këtyre hapësirave i paraprin zbatimit të programit madhor “Rilindja Urbane 2.0”, i cili ka si objektiv rikthimin e ligjshmërisë dhe kthimin e këtyre zonave në shërbim të komunitetit, duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm urban.