Një studim i ri shkencor, i cili është zhvilluar së fundmi, ka shpallur “Sofia”-n si emrin më të bukur në botë. Kërkimi u udhëhoq nga Dr. Bodo Winter, gjuhëtar njohës në Universitetin e Birminghamit, i cili analizoi 100 emra të përhapur ndërkombëtarisht, duke u fokusuar te tingulli, ritmi dhe emocioni që ato përcjellin.
Sipas Dr. Winter, “Sofia” dallohet për tingujt e butë dhe harmonikë, kombinimin melodik të zanoreve dhe mënyrën e ëmbël si tingëllon ky emër në shumë gjuhë. Por bukuria e emrit nuk qëndron vetëm në tingull.
Fjala rrjedh nga greqishtja e lashtë “sophía”, që do të thotë “urtësi”, dhe është thellësisht e lidhur me idealet filozofike dhe kulturore të Greqisë antike.
Në mitologji, ajo lidhet me perëndeshën Athena, ndërsa në krishterimin e hershëm, me Shën Sofinë e Romës, një shenjtore e njohur për qëndresën dhe besimin e saj.
Forma të ndryshme të këtij emri, si Sophia, Sophie apo Sofie, janë të njohura globalisht për elegancën dhe universalitetin e tyre. Emri është i lehtë për t’u shqiptuar në shumë gjuhë dhe shpesh shoqërohet me bukuri shpirtëroredhe inteligjencë.
Një nga simbolet më të njohura të këtij emri mbetet monumenti Hagia Sophia në Stamboll – një thesar i arkitekturës dhe trashëgimisë botërore.