Komuniteti i analizave politike dhe çështjeve euroaziatike ka humbur një nga zërat e tij më të ndritur. Ka ndërruar jetë Janusz Bugajski, analist, autor prolifik dhe një avokat i palëkundur i demokracisë dhe lirisë së shtypit.
Lajmi i hidhur u bë i ditur nga gazetari i njohur i Zërit të Amerikës (VoA), Elez Biberaj, i cili përmes një postimi në Facebook shprehu tronditjen dhe pikëllimin për humbjen e mikut dhe kolegut të tij të ngushtë.
“Isha i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Janusz Bugajski,” shkruan Biberaj. Ai e përshkroi Bugajskin si një “analist brilant” i çështjeve euroaziatike, veprat e të cilit “formësuan thellësisht kuptimin tonë për rajonin.”
Bugajski ishte një zë i vlerësuar dhe i shpeshtë në transmetimet e Zërit të Amerikës, ku sipas Biberajt, analizat e tij ishin gjithmonë të qarta, parimore dhe thellësisht të informuara.
Elez Biberaj theksoi se kishte punuar me Bugajskin në shumë projekte, sidomos ato që lidheshin me çështjet e Ballkanit. “E admirmoja jo vetëm intelektin, por edhe integritetin, mençurinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj vlerave që i kishte për zemër,” përfundon Biberaj.
Vdekja e Bugajskit lë një boshllëk të thellë për të gjithë ata që kishin privilegjin ta njihnin dhe të punonin me të.