Dramatizmi i sulmit me armë zjarri ndaj vëllezërve Gashi në Pejë, pikërisht pas lirimit të tyre nga paraburgimi për një vrasje të vjetër, merr përmasa të reja pas zbulimit të dosjes së prokurorisë.
I dyshuari, Mahmut Hoxhaj, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes, figuron i përfshirë në një numër shokues të rasteve penale.
Sipas dosjes së siguruar, e cila i është dorëzuar gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, Mahmut Hoxhaj figuron në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës si i përfshirë në plot 43 raste penale, ndërsa në 25 prej tyre në cilësinë e të dyshuarit.
Hakmarrje pas lirimit nga paraburgimi
Ngjarja e rëndë ndodhi pasi vëllezërit Gashi sapo kishin përfunduar një seancë gjyqësore, ku u ishte ndërprerë masa e paraburgimit nën dyshimin për vrasjen e vëllait të Mahmut Hoxhajt vite më parë.
Prokuroria pretendon se Hoxhaj kishte organizuar një pritë në shenjë hakmarrjeje. Me dy automatikë Kallashnikov (AK-47) në dorë, ai iu drejtua veturës ku ndodheshin vëllezërit Gashi dhe një shofer tjetër.
Si pasojë e sulmit, Basri Gashi dhe shoferi, A.U., u plagosën. Njëri nga të plagosurit më pas u transferua në QKUK për trajtim të specializuar.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë shpejt zyrtarët policorë, të cilët arritën të arrestojnë Hoxhaj dhe të sekuestronin armët e përdorura.
Mahmut Hoxhaj tashmë ndodhet në mbajtje për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Prokuroria në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.