Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (KESE) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që merr vendim për të përfshirë Kosovën në strukturat e veta, duke i dhënë zë shoqërisë civile kosovare brenda këtij organi këshilldhënës të BE-së.
Vendimi shënon një zhvillim të rëndësishëm, pasi Kosova, e cila formalisht nuk ka statusin e vendit kandidat, tashmë do të jetë pjesë e Nismës së Shteteve Kandidate për Zgjerim (ECMc).
Përmes një njoftimi,KESE-ja ftoi organizatat e shoqërisë civile në Kosovë të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor.
“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare,” thuhet në thirrjen zyrtare të Komitetit.
Në shkurt të vitit 2024, KESE-ja pranoi si anëtarë të gjitha shtetet kandidate të rajonit (përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë), por Kosova mbeti jashtë për shkak të statusit të saj. Megjithatë, EESC theksoi për Kohën se u vendos që “të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidate potenciale për anëtarësim”.
Ky hap vlerësohet si një lëvizje e rëndësishme drejt integrimit gradual, para anëtarësimit të plotë në BE.
Roli i KESE-së
KESE-ja, me seli në Bruksel, u themelua në vitin 1957 me qëllim që të këshillojë vendimmarrësit e BE-së dhe të sigurojë që shoqëria civile (përfaqësuesit e punëdhënësve, punëtorëve dhe organizatat e ndryshme) të ketë një zë në procesin legjislativ. Anëtarët nga Kosova do të veprojnë si ndërmjetës mes Brukselit dhe publikut, duke ndihmuar që politika e BE-së të jetë më demokratike dhe efikase.
Ky pranim vjen teksa aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor 2022, vazhdon të presë shqyrtimin formal nga Këshilli i BE-së.