Ndërsa vendi ende nuk e ka mbyllur plotësisht procesin e zgjedhjeve lokale, në skenën politike po qarkullojnë gjithnjë e më shumë zëra për mundësinë e një procesi të ri zgjedhor – kësaj here për Kuvendin e Kosovës.
Sipas afateve kushtetuese, deri më 26 tetor, mandatari për formimin e Qeverisë së re, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet ta paraqesë kabinetin e tij qeverisës në Kuvend për votim. Nëse kjo nuk ndodh, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja parlamentare, për herë të dytë brenda një viti.
Në këtë situatë, sytë janë drejtuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni përgjegjës për administrimin e çdo procesi zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se aktualisht fokusi i këtij institucioni mbetet në përmbylljen e zgjedhjeve lokale dhe përgatitjet për raundin e dytë të votimit.
“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të Zgjedhjeve Lokale, përfshirë shpalljen e rezultateve përfundimtare dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. KQZ nuk komenton deklaratat politike apo paralajmërimet nga liderët politikë. Megjithatë, si çdoherë, mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve tona kushtetuese dhe ligjore”, ka theksuar Elezi.
Ai nuk e mohoi se një proces i ri zgjedhor në nivel qendror do të ishte një “sfidë” për KQZ-në, veçanërisht për faktin se stafi është ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale.
“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka shtuar ai.
Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të ardhura nga diaspora, si dhe i disa kutive për kuvendet komunale. Ndërkohë, balotazhi për disa dhjetëra komuna është caktuar të mbahet më 9 nëntor.