Një rast dhune në familje është raportuar të premten në Pejë, ku një grua ka përfunduar në trajtim mjekësor pasi është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i cili ndodhej në gjendje të dehur.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 15:30. Pas dhunës, policia ka shkuar në vendngjarje, por i dyshuari nuk është gjetur në shtëpi. Më vonë, ai është paraqitur vetë në stacionin policor.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin e rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për dhunë në familje po vazhdojnë.
Viktima ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe nuk ka shqetësime të rënda shëndetësore!