Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shtuar një tjetër profesionist të trajnuar në standarde ndërkombëtare, pasi Kapiten Kreshnik Dreshaj ka përfunduar me sukses Kursin e Karrierës së Kapitenëve në Inxhinieri Ushtarake, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi zyrtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në rrjetin social “Facebook”. Ceremonia e diplomimit u zhvillua në Fort Leonard Wood, një bazë e njohur e Ushtrisë Amerikane, ku zhvillohen trajnime të avancuara të inxhinierisë ushtarake.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi intensiv kishte për qëllim kryesor përgatitjen e liderëve të rinj. Fokusi i kursit ishte në planifikimin, udhëheqjen dhe drejtimin e operacioneve komplekse të inxhinierisë ushtarake, duke i pajisur oficerët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për detyrat e ardhshme drejtuese.
“FSK po ngrit kapacitetet profesionale me ndihmën e partnerëve dhe me standardat më të larta të vendeve të NATO-s,” theksohet në njoftimin e Forcës, duke nënvizuar angazhimin e vazhdueshëm për profesionalizim dhe ndërveprueshmëri me aleatët.
Diplomimi i Kapiten Dreshajt shënon një hap tjetër në konsolidimin e FSK-së si një forcë moderne dhe profesionale, e cila po përfiton nga mbështetja e partnerëve strategjikë, veçanërisht SHBA-së, për të arritur standardet më të larta të Aleancës së Atlantikut të Veriut.