Gara për kryetar në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka mbetur tejet e ngushtë, duke u shndërruar në një “fotofinish” pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës.
Të dhënat e kombinuara të Qendrave Komunale të Numërimit (QKN) dhe votat me postë tregojnë një epërsi minimale të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ndaj atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.
Sipas rezultateve të deritanishme, Faton Peci (VV) ka grumbulluar gjithsej 15,745 vota (rreth 47.97%), duke përfshirë 392 vota nga diaspora. Ndërkohë, Arian Tahiri (PDK) ndjek me 15,629 vota (rreth 47.60%), ku 236 vota janë nga diaspora.
Diferenca mes dy kandidatëve kryesorë është vetëm 116 vota në favor të Pecit, duke e bërë Mitrovicën e Jugut një nga garat më dramatike të këtyre zgjedhjeve.
Edhe pse të dy kandidatët kanë shifra të larta, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të kalojë pragun prej 50% + 1, gjë që konfirmon se gara do të shkojë në balotazh.
Në total janë numëruar 32,831 vota, por në pritje mbetet numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta.
Këto vota mund të ndryshojnë pak diferencën, por vështirë se do të ndikojnë në rezultatin e balotazhit.
Kandidatët e tjerë, Gëzim Plakolli (LDK) dhe Qazim Nimani (AAK), kanë marrë respektivisht 3.71% dhe 0.73% të votave.