Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për Euronews Albania dhe iu është kundërpërgjigjur akuzave se pjesëmarrja e tij në protestën e mbajtur në Tiranë ishte e motivuar nga fushata politike, duke theksuar se mbrojtja e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është një çështje që i tejkalon interesat partiake.
“Me i mbrojt vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje që na takon të gjithëve, përtej partive politike,” tha Rama gjatë një interviste për Euronews.
Rama theksoi se angazhimi i tij ndaj veteranëve të luftës nuk është i kohëve të fundit. Ai përmendi se Komuna e Prishtinës ka themeluar qysh në fillim të mandatit të tij Sektorin për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
“Si kryetar i kryeqytetit, para katër vjetëve, kam krijuar Sektorin… i cili udhëhiqet nga një ish-veteran i UÇK-së dhe u shërben veteranëve të luftës. Jemi e vetmja komunë në Kosovë që e kemi bërë këtë,” shtoi ai.
Rama theksoi se ky është një qëndrim parimor dhe jo një çështje politike. “Prandaj po them nuk është çështje e ditëve të fundit, nuk është çështje politike, është çështje më e madhe, çështje kombëtare,” përfundoi kryetari i Prishtinës.