Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa, ka folur për zgjedhjet lokale që po mbahen në këtë shtet sot.
Ai foli për partitë shqiptare ku tha se gara më e madhe është në komunën e Çairit, e madje tha se kjo nuk është garë e dy partive, por e cilësoi garë si të dy ideve.
“Njërës që tenton ta mbrojë atë që njihet si Marrëveshje e Ohrit dhe gjithë ajo që ka pasuar si garanci kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të arritura të shqiptarëve pas vitit 2001 dhe një blloku që e ka gjetur veten në një koalicion me një parti e cila udhëhiqet nga një lider si Mickoski e cila e ka pasur retorikën e fitores pikërisht mbi një platformë anti-shqiptare dhe anti-evropiane”, tha Hysa
Tutje, ai tha se në Çair bëhet fjalë për betejën e dy koncepteve, ku sipas tij, njëra tenton t’i mbrojë të drejtat e arritura të shqiptarëve dhe tjetra që e ka gjetur veten në një qeveri me Hristijan Mickoskin.
Hysa foli edhe për daljen e shqiptarëve në këto zgjedhje, ku tha se deri më tani, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, te shqiptarët dalja është me e lartë për diku 10 për qind.
“Nga ajo që deri më tani është parë ka qenë një proces pak a shumë i rregullt, nuk ka pasur incidente për t’u theksuar”.
“Por ajo për t’u vënë në pah është një dalje më e madhe sesa herave të kaluara, madje në pjesën shqiptare kjo dalje është diku 10 për qind më shumë. Ndërsa te pala maqedonase dalja duket se do të jetë dukshëm më e ulët”, tha ai.