Shtatë serbë janë arrestuar, pretendon e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, në aksionin e Prokurorisë Speciale në veri të vendit.
Që nga orët e hershme të mëngjesit, në Zveçan dhe Zubin Potok po zhvillohen bastisje në nëntë lokacione – dy në Zveçan dhe shtatë në Zubin Potok.
Aksioni po realizohet nga hetues të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Veprave të Rënda Penale, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kallxo.com raporton se këto bastisje janë duke u kryer në lidhje me vrasjen e doganierit të EULEX-it, një vrasje që kishte ndodhur në shtator 2013. Audrius Senavicius, doganier lituanez, ishte vrarë me 19 shtator 2013 pas të shtënave ndaj dy automjeteve të EULEX në afërsi të Zveçanit.
Në rrjetet sociale qarkullojnë informacione ende të pakonfirmuara për personat e arrestuar, ndërsa për këtë është deklaruar zyra e udhëhequr nga Petar Petkoviq, kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën.
“Në vazhdimin e represionit brutal fizik dhe juridik ndaj popullit serb, Albin Kurti ka urdhëruar sot në mëngjes aksionin e arrestimit të serbëve në Zubin Potok dhe Zveçan, në të cilin janë ndaluar shtatë bashkatdhetarë tanë”, pretendon kjo zyrë.
Ata flasin për thyerje dyersh të shtëpive e “ndalime arbitrare” të serbëve nga Policia.
Kjo zyrë e konsideron aksionin si “hakmarrje të Albin Kurtit” ndaj serbëve në veri, pas fitores së fundit të serbëve në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.