Analisti politik Arben Ratkoceri ka pohuar se në Komunën e Çairit është duke u bërë gara më e madhe në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut, të cilat janë duke u zhvilluar këtë të diel.
Në specialen e Klan Kosovës “Maqedonia zgjedh kryetarët”, ai ka deklaruar se kjo shihet edhe me numrin e lartë të votuesve shqiptarë.
“Vetë jehona më e madhe në këto zgjedhje në raport me zgjedhjet tjera flet për atë se qytetarët, sidomos në Komunën e Çairit, në të cilën po zhvillohet beteja kryesore në nivel republike. Vetë ky numër më i madh i daljes së votuesve shqiptarë, të paktën deri në orën 13:00 sipas statistikave zyrtare që shkon deri në 6 për qind, që nuk është pak, flet edhe për pyetjen që e shtroni ju.”
“Pra, është një farë refleksi i pakënaqësive të qytetarëve, sidomos atyre shqiptarë, për shkak se koalicioni i ri qeveritar trumbetoi ndryshime që do t’ua përmirësonin qytetarëve jetën dhe standardin. Qeveria e re ka një vit e gjysmë dhe ndryshimet jo vetëm që nuk preken, por në shumë drejtime ka vetëm degradim”, ka thënë Ratkoceri.
Në Komunën e Çairit janë tre kandidatë për kryetar komune: Bujar Osmani, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti nga VLEN-i, dhe Ico Kolevski nga Partia Punëtore.