Procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit në Gjilan, kanë mbetur edhe 7 vendvotime të paprocesuara nga 146 sosh sa ka Gjilani. Në total janë numëruar 95,21% e votave.
Nga votat e diasporës Alban Hyseni i LVV-së ka marrë 51.77%, ndërsa Arbër Ismajli i LDK-së 36.32%.
Por deri më tani kjo është e pamjaftueshme për Alban Hysenin të fitojë pa balotazh, kur kanë mbetur edhe votat e shtatë vendvotimeve.
Nga rezultatet e deritshme që jep KQZ, Alban Hyseni ka 49.82% të votave, ndërsa Arbër Ismajli 34.30.
Për këtë, ka reaguar Alban Hyseni, duke falënderuar qytetarët për besimin – por situata a ka apo nuk ka balotazh mbetet e paqartë.
Por, ai ka thënë se “punë e madhe na presin”, duke shtuar se “mobilizimi ynë është fuqia e madhe”.
“Të dashur qytetarë të Gjilanit, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe të gjithë ju përkrahës që na votuat masivisht më datë 12 tetor. Falënderoj nga zemra secilin prej jush për mbështetjen e madhe gjatë katër viteve të mandatit tonë të parë, e gjithashtu edhe për një fushatë fantastike, dinjitoze, pa ofendime dhe me shumë takime në çdo lagje e fshat të Gjilanit tonë”.
“Përkrahja e madhe nga qytetarët e vendit tim dhe mërgata që na ka votuar përmes postës, dhe duke ardhur në Kosovë ditën e zgjedhjeve, është nder e përgjegjësi e madhe për mua dhe Lëvizjen. Punë të mëdha na presin, andaj mobilizimi ynë është fuqia e madhe që ka triumfuar në secilën garë, e me të njëjtin intensitet do të vazhdojmë edhe më tutje BASHKË me secilin prej jush”, ka thënë Hyseni.
