Pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion në Vushtrri midis kryetarit të degës së LDK-së, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të LVV-së për kryetar, Sylejman Meholli, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar duke njoftuar anëtarësinë dhe opinionin publik se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.
“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në reagim.
LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.
“Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thekon LDK-ja