Nis gjykimi ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë

by informim peje

Ka filluar seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Të tre të akuzuarit përballen me akuza për përfshirje në sulmin terrorist serb që ndodhi më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

banner

Nga përplasja mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur serb, i udhëhequr nga kryeterroristi Millan Radoiçiq, u plagosën edhe disa pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës.

Deri më tani, disa zyrtarë policorë që morën pjesë në kundërveprimet në Banjskë kanë dhënë dëshmitë e tyre, përfshirë edhe dëshmitarë të mbrojtur.

Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – përfshirë edhe Millan Radoiçiq – lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme në grupin e organizuar kriminal, duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave.

“Ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale,” kishte deklaruar prokurori i rastit në konferencën për media më 11 shtator 2024.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.

Ndërkohë, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special – refuzoi si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Gjykata e Apelit, më 13 mars 2025, konfirmoi aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe vërtetoi aktakuzën ndaj të akuzuarve në rastin “Banjska”.

Aktualisht, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale. /EO

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy