Sermaxhaj para Turqisë: Dy finale vendimtare për rikthimin në Ligën B

by Nexhat

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave, Sami Sermaxhaj, e ka cilësuar përballjen me Turqinë si një finale të dyfishtë, duke theksuar se ekipi po përgatitet me kujdes maksimal për të arritur objektivin: rikthimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Kombëtarja e Kosovës ka nisur fazën përgatitore për dy ndeshjet e “play-off” ndaj Turqisë. Ndeshja e parë do të zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa e dyta do të luhet në Izmir.

banner

“I kemi dy ndeshje që janë sikur dy finale. Turqia është ekip me mbrojtje shumë të fortë, por ne jemi duke i bërë të gjitha planifikimet e duhura që ndaj tyre të arrijmë rezultat pozitiv. Synimi ynë është të kalojmë në Ligën B. Turqia mbrohet mirë dhe kundërsulmon shpejt, prandaj do të marrim masa që ta kemi lojën nën kontroll dhe ta menaxhojmë si ndeshjen e parë ashtu edhe të dytën. Do të mundohemi të mbrohemi mirë, por edhe të sulmojmë në mënyrë efektive”, ka thënë Sermaxhaj.

Ai e ka konfirmuar se në këtë grumbullim mungon Genta Feta nga SHBA për shkak të angazhimeve me klubin, ndërsa disa lojtare pritet t’i bashkohen ekipit ditëve në vijim.

Ndërkohë, edhe lojtaret e ekipit janë të motivuara dhe të vetëdijshme për rëndësinë e përballjeve. Donjeta Halilaj ka thënë se ekipi është në formë të mirë dhe kërkoi përkrahjen e tifozëve: “Jemi një grup kompakt që luajmë bashkë prej kohësh dhe do të japim maksimumin. U bëj thirrje edhe ‘Dardanëve’ të vijnë në stadium, sepse përkrahja e tyre është shumë me vlerë”, është shprehur ajo. 

Ndërsa Lumbardha Misini ka shtuar se përgatitjet janë në nivel të lartë: “Besoj që secila prej nesh është më e përgatitur se kurrë dhe jemi gati për këto dy ndeshje. Shpresoj që do ta mposhtim Turqinë, sepse ky është synimi ynë. E gjithë skuadra është në gjendje të mirë fizike dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë ajo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy