Pavarësisht kundërshtimit të hapur nga Lidhja Demokratike e Kosovës në nivel qendror, kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri, ka vazhduar rrugën drejt një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë komunë.
Në një veprim sfidues ndaj qëndrimit zyrtar të partisë, Tahiri ka publikuar së bashku me degën lokale të LDK-së një fotografi ku shihet i rrethuar nga asamblistët e subjektit të tij politik, duke treguar se marrëveshja me VV-në është bërë me konsensus të plotë dhe përkushtim të përbashkët.
“Qyteti ynë ka nevojë për ndryshim!” – thuhet në komunikatën që e shoqëron foton. Sipas njoftimit, Tahiri dhe asamblistët janë “besatuar” për të çuar përpara marrëveshjen me VV-në
“Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka,” thuhet në deklaratë.
“Së bashku me asambleistët e LDK-së, jemi besatuar para Zotit që do ta sjellim këtë ndryshim – me ndershmëri, punë dhe dashuri për qytetin tonë,” thuhet më tej në komunikatë, duke lënë të kuptohet qartë se veprimi i Xhafer Tahirit është përkrahur nga strukturat e degës në Vushtrri.
Ky zhvillim vjen vetëm menjëherë pas reagimit të ashpër të LDK-së në Prishtinë, e cila e quajti marrëveshjen me Vetëvendosjen “të papranueshme dhe pa vlerë”, duke e cilësuar si veprim individual të Xhafer Tahirit