Seanca paraprake ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës.
Avokatët nuk u paraqitën në seancë si pjesë e bojkotit 5-ditor të shpallur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, pas arrestimit të një kolegu të tyre, Ulian Barjami, i cili akuzohet për kërcënim ndaj një prokurori në një çështje tjetër në Elbasan. Edhe pse Barjami u lirua një ditë më parë, bojkoti i avokatëve do të vazhdojë deri të premten.
Në gjykatë ishte i pranishëm biznesmeni Elman Abule, i cili është një nga të pandehurit në këtë çështje me akuzën e pastrimit të parave. Seanca paraprake pritej të vendoste nëse dosja e Veliajt do të kalojë për gjykim apo jo.