Janë gjetur mbetjet mortore të katër personave, që dyshohen të jenë të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka thënë se gërmimet janë bërë në 24 lokacione dhe se këto nuk janë të vetmet për këtë vit, për çka pati një sqarim duke thënë se jo medoemos në lokacione ku gërmohet ka persona të zhdukur.
“Brenda këtij viti kemi gërmuar apo hulumtuar 24 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës pa e përfshi territorin e Serbisë, pasi e dini që jemi në Kozhle. Nga 24 lokacione ne kemi arritur me i gjetë mbetje mortore të personave që potencialisht mund të jenë nga lista e personave të zhdukurve në 12 lokacione. Kjo nuk do të thotë që patjetër këta persona janë persona të zhdukur. Këtë e thotë patjetër vetëm kur vjen raporti i ADN-së. Lokacioni i fundit i 24 që sot po gërmohet, nuk është i fundit për këtë vit, vjen si rezultat i disa analizave dhe raporteve edhe një bashkëpunimi të mirëfilltë që kemi me organizatat ndërkombëtare dhe Kryqin e Kuq. Në këtë lokacion kemi arrit me i gjetë, mbetjet mortore të 4 personave. Po lutem me gjetë mirëkuptimin e qytetarëve, familjarëve dhe juve (gazetarëve)sot në mëngjes pas një raportimi që ka ndodhur për këtë. Sot në mëngjes më kanë thirr dy familjarë të shqetësuar tej mase. Me pyetje a është prindi im, a është gjyshi im, apo vëllai im. Këto raportime në media, natyrisht që janë në anën tuaj profesionale por po ngrisin shqetësime te familjarët. Edhe unë jam familjarë, ju lutem së pari familjarëve, qytetarëve dhe juve, që asnjëherë në radhë të parë mos të merret gjithsesi që në atë lokacion ka persona të zhdukur. Mbi 2500 lokacione i kemi gërmuar në Kosovë”, tha Hoti.
Hoti ka thënë edhe se Serbia ka bërë krime të shumëfishta në Kosovë aq sa mendja e njeriut nuk e kupton.
“Serbia ka ditë me bo krime të shumëfishta në Kosovë që mendja e njeriut pak i kupton. Ka vra njerëz, po e marrë shembull në Prizren i ka varros në Prishtinë e më pas i ka dërgu në Serbi. Mos të krijohet një shqetësim se ndoshta e gjetën familjarin tim. Le të presin sepse janë disa muaj në pritje që bëhen ekspertizat”, theksoi Hoti