Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është takuar të martën në Prishtinë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Gjeneralmajor Ulutaş theksoi se KFOR mbetet i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij në shërbim të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, ministri Sveçla tha se biseda u përqendrua në gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it.
“Gjatë takimit, diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë në vend dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe KFOR-it,” shkroi Sveçla.
Ai i uroi gjeneralit Ulutaş fillimin e mandatit të dytë në krye të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm në funksion të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
Ndërkohë, komandanti Ulutaş nënvizoi se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në njoftim u theksua gjithashtu se KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me kompetencat dhe rolet e tyre në fushën e sigurisë.