Rezultat historik për futbollin shqiptar të të rinjve. Skënderbeu U-19 ka arritur të barazojë 1-1 me Aston Vilën U-19, në ndeshjen e parë të fazës gjysmëfinale të kualifikueseve të “UEFA Youth League”.
Takimi u zhvillua në stadiumin e Korçës, duke nisur në orën 16:00, përpara një publiku entuziast që mbështeti pa ndalur skuadrën korçare.
Ishin anglezët që kaluan të parët në avantazh, pavarësisht se më herët kishin humbur një penallti. Autori i golit për Aston Vilën ishte Uilson. Megjithatë, reagimi i Skënderbeut ishte i menjëhershëm: vetëm tre minuta më vonë, Ensar Beqiri realizoi golin e barazimit, duke ndezur atmosferën në “Qytetin e Djepit të Futbollit”.
Pjesa e dytë nuk solli gola të tjerë, megjithëse të dy skuadrat kërkuan me ngulm fitoren. Rezultati 1-1 i jep Skënderbeut shpresa reale për kualifikim, përpara ndeshjes së kthimit që do të luhet më 5 nëntor në Angli.
Të rinjtë korçarë po vazhdojnë rrugëtimin e tyre historik në Europë, pasi më herët kishin eliminuar ekipin andorran Inter D’Eskaldes, duke treguar se kanë potencial për të konkurruar denjësisht edhe me akademitë më të njohura të kontinentit.